Një javë më parë, kreu i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një deklarim për media paralajmëroi edhe një valë të re të ngritjes së çmimeve të derivateve në Kosovë.
Kështu edhe ndodhi. Javën e kaluar një litër naftë tregtohej me 1.65 euro, kurse benzina me 1.66 euro.
Sot një litër benzinë ka shkuar në 1.79 euro, pra për 14 centë më shumë. Ndërsa nafta – 1.77 euro.
Ndryshe rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.
Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.
Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës.