Përfundimi i samitit të nismës për bashkëpunimin e vendeve të Evropës juglindore është shoqëruar edhe me një “mini-incident” ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Kreu i qeverisë shqiptare ka ironizuar qasjen evropiane ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke e prezantuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski si “kryeministër të Bullgarisë Perëndimore”, duke ironizuar në këtë mënyrë kushtet që i vendosen këtij vendi në procesin integrues, vend i cili pak vite më parë ndryshoi edhe emrin për të shuar konfliktin që kishte me Greqinë.
Në samitin dyditor, lajme të mira pati edhe për Kosovën, ku kreu i qeverisë greke, Qiriako Micotaqis u shpreh do të jep mbështetjen e plotë në proceset integruese të Kosovës.
Greqia kërkon bashkëpunim në fushën e ekonomisë dhe të energjisë, përfshi edhe pasuritë minerare të Kosovës. Greqia si anëtare e BE-së i siguron vendet e Ballkanit se ajo do jetë ambasadorja e tyre deri në anëtarësim të të gjitha vendeve pa asnjë përjashtim./A2