Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka komentuar vizitën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca në Hagë ku takoi ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në paraburgim.
Hoxhaj thotë se Konjufca me vizitën e tij ka treguar lidership.
Në RTV 21, Hoxhaj tha pozitë e opozitë bëhen bashkë në temat që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe identitetin e shtetit. Këtu ai shton edhe se do ta përkrahin kryeministrin Albin Kurti nëse e ka përnjëmend negocimin me Serbinë.
“Vizita e zotit Konjufca tregon se përkundër dallimeve që ne i kemi, si subjekte të ndryshme politike, tregon për një vetëdije shtetërore dhe tregon që për temat që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë, me identitetin e të ardhmen tonë, qeveria dhe opozita do të jenë së bashku. Ne do të jemi bashkë me zotin Kurtin nëse ai e ka përnjëmend që do të negociojë me Serbinë. Do ta mbështesim. Sikurse zoti Konjufca ka treguar lidership me vizitën e tij”, tha Hoxhaj.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.