Nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, është shfaqur nga Veriu i Kosovës, ku përmes një video mesazhi ka thënë se terrori ndaj popullit serb sapo ka filluar.
Këtë video Radoiçiq e ka bërë në periferi të Leposaviqit, derisa media serbe, e quan “Mburojë të mbijetesës së popullit serb në Kosovë”.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb sapo ka filluar. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni të them, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo, sepse nga këtu nuk ka kthim. Rroftë Serbia”, tha ai.
“Ai është makth për shqiptarët e Kosovës, andaj është kthyer në Kosovë”, shkruan mediumi serb.
Radoiçiq, është një nga të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb në Kosovë Oliver Ivanoviq, derisa është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndaj tij institucionet e Kosovës kanë lëshuar një urdhër arrest për rastin ‘Brezovica’.
Radoiçiq ishte ndaluar në shkurt, pikën kufitare në Bërnjak derisa po tentonte të futej në Kosovë, por që i kishte ikur Policisë së Kosovës, për çka lidhur me ikjen e tij IPK pati suspenduar tre zyrtarë policorë që ishin në detyrë.