Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mohuar se mund të ketë një takim të nivelit të lartë në Bruksel mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, para pushimeve të verë.
I pyetur reth raportimeve në Kosovë se një takim i tillë mund të zhvillohet gjatë këtij muaji, Vuçiq ka mohuar se kjo mund të ndodhë.
Ishte vetë i ngarkuari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ai që gjatë vizitës në Kosovë kishte paralajmëruar një takim të tillë të mundshëm.
Lajçak u shpreh se beson se ka një momentum të mirë për takim ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuҫiq.
Ai në vizitën e fundit qëndroi ditë në Kosovë ku takoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike opozitare dhe vizitoi disa rajone të Kosovës.
Vizita në Kosovë e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi u zhvillua vetëm pak ditë pasi Prishtina dhe Beogradi jetësuan një marrëveshje për energjinë për veriun e Kosovës të nënshkruar në vitin 2013. Lajçak nga Kosova paralajmëroi marrëveshje të reja Kosovë-Serbi.