Një delegacion i organizatës kontradiktore joqeveritare “Europa Nostra” ka vizituar sot Manastirin e Graçanicës, organizatë kjo që merret me trashëgiminë kulturore.
Organizata “Europa Nostra”, sekretare e përgjithshme e së cilës është serbja Sneshka Quaedvlieg-Mihailoviç, ka dëmtuar në vazhdimësi imazhin e Republikës së Kosovës në botë, duke e cilësuar me tendencë se “objektet fetare ortodokse në Kosovë janë të rrezikuara”.
Deri vonë, kjo organizatë ka qenë e lidhur ngushtë me Rusinë dhe diktatorin Vladimir Putin.Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në mars të vitit 2021, me një letër të përbashkët i ishin drejtuar organizatës Europa Nostra për raportimet tendencioze.
Në letër theksohej se në sulmet e pretenduara ndaj manastirit, gjuha e përdorur nga nominuesi është e pasaktë, duke qenë edhe tendencioze dhe e papranueshme.
Osmani dhe Kurti kishin reaguar pasi që “Europa Nostra” kishte futur Manastirin e Deçanit në listën e monumenteve të rrezikuara.
President nderi i kësaj Organizate nga viti 2010 është tenori i famshëm spanjoll Placido Domingo, i cili ka pasur simpati për presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin ka realizuar disa takime. Domingo ka realizuar vizita dhe një koncert në Beograd dhe ushqen simpati për Serbinë dhe popullin serb.
President ekzekutiv i organizatës ‘Europa Nostra’ është Hermann Parzinger , shtetas gjerman, të cilit në vitin 2009 në një ceremoni në Kremlin i është ndarë medalja “Urdhri i Miqësisë” nga Presidenti rus Dmitry Medvedev, çmimi më i lartë rus për shtetas të huaj. Organizata ‘Europa Nostra’ ka ndikim të theksuar në UNESCO.
Ditët e fundit, përfaqësuesit e “Europa Nostra” kishin vizituar edhe Manastirin e Deçanit dhe kalanë e Novobërdës.