Ministri kroat i Punëve të Jashtme Gordan Grliq Radman gjatë fjalimit të djeshëm në Forumin e Dubrovnikut i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin se Kosova është shtet i pavarur.
Radman tha se Kroacia në mënyrë aktive po u dërgon mesazhe vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, se është shumë e rëndësishme që pavarësia e Kosovës të njihet nga e gjithë BE-ja.
“Ne jemi aktivë në dërgimin e mesazheve për shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Theksoj se duhet të ndërmerren hapa konkretë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. I bëj thirrje Serbisë që të bëjë të njëjtën gjë, sepse ky është realiteti”, tha shefi i diplomacisë kroate, transmeton Kosovo online, përcjell "Bota sot"
Radman tha gjithashtu se Kroacia mbështet integrimin evropian, anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.