Drecun: Derisa Kosova të mos tërheqë vendimin për targa nuk ka dialog

Lajme

Drecun: Derisa Kosova të mos tërheqë vendimin për targa nuk ka dialog

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 11:09
Millovan Drecun

Kryetari i të ashtuquajturit komision parlamentar serb për Kosovën, Millovan Drecun, ka deklaruar se “me veprimet e fundit të njëanshme lidhur me targat dhe dhunën ndaj popullit serb, Prishtina definitivisht e ka vënë në pikëpyetje dialogun dhe e ka kërcënuar atë”, transmeton televizioni publik serb RTS.

Drecun ka pretenduar se “nuk e ka të qartë se në çka po e mbështet optimizmin i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, se do të arrihet një lloj marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se i gjithë procesi i normalizimit do të përfundojë në një afat të caktuar”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë në forumin në Dubrovnik se tre ose katër marrëveshje janë gati për Kosovën dhe Serbinë dhe se ai pret që ato të finalizohen së shpejti.

Millovan Drecun ka thënë se Lajçak shpesh bën deklarata optimiste për faktin se do të arrihet një lloj marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se i gjithë procesi i normalizimit do të përfundojë brenda një afati të caktuar, dhe se, siç thotë ai, “asgjë nga këto nuk ka ndodhur në periudhën e kaluar”.

“Përveç se është bërë përparim në udhërrëfyesin për zbatimin e pjesës energjetike të Marrëveshjes së Brukselit. Nuk e di se mbi çfarë ai po e mbështet optimizmin e tij”.

Ai tregon se sipas orarit për muajin korrik janë caktuar dy takime – i pari më 14 korrik kushtuar arritjes së marrëveshjes për të zhdukurit dhe i dyti më 19 korrik në nivelin më të lartë ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka shtuar se “zgjidhja më e mirë është” ngrirja e dialogut të mëtejshëm.

“Deri në zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pra që Asociacioni përfundimisht të formohet, derisa Prishtina nuk detyrohet të heqë dorë nga veprimet e njëanshme, derisa nuk heqë dorë nga synimi për heqjen e targave nga 1 tetori, derisa nuk ndalojë dhunën ndaj popullit serb në Kosovë, dialogu të mos vazhdojë. Kështu më duket se do të kemi edhe një herë një tregim bosh ku do të mbahen disa takime, por nuk do të ketë përparim të veçantë”, pretendon Drecun.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat