Njësitë Speciale të Bosnje Hercegovinës e kanë arrestuar Elvis Kelmendin, djalin e biznesmenit të akuzuar për trafikim të drogës, krim të organizuar e vepra tjera penale.
Për vepra kriminale akuzohet edhe Elvis Kelmendi i cili u arrestua të martën bashkë me gjashtë persona të tjera në Sarajevë dhe Neum.
Aksioni i Policisë ka qenë i mbikëqyrur nga Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës me urdhër të gjykatës shtetërore, raporton“n1”.
“Po kontrollohen disa objekte dhe mjete transporti me qëllim të mbledhjes së provave materiale”, thuhet në njoftim.
Operacioni është ende në vazhdim për këtë nuk janë dhënë më shumë detaje.
Kush është Elvis Kelmendi që u arrestua në Bosnjë, çfarë vepra ka kryer në Kosovë?
Babai i Elvisit, biznesmeni nga Peja ishte i përfshirë në një sërë veprash kriminale bashkë me djemtë e tij.
Elvisi është djali i madh i Naserit, i cili së bashku me vëllezërit e tij Liridon dhe Besnikun, janë në listën e anëtarëve të karteleve kriminale nga Meksika dhe Amerika Latine, raportojnë mediat e rajonit.
Probleme me ligjin Elvisi ka pasur edhe në të kaluarën, në vitin 2010 ishte akuzuar për vrasje.
E kishte pranuar fajësinë pasi një prokuror i EULEX-it ia kishte ndryshuar cilësimin juridik veprës nga vrasje e rëndë në tentativë që është e dënueshme minimumi 10 vjet burgim, në vrasje në tentativë.
Ai ishte arrestua edhe në Beograd në vitin 2017 për dhunë në familje dhe armë pa leje. Elvisi u denoncua në polici nga e dashura e tij.
Bashkë me babain dhe dy vëllezërit e tij janë të përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si trafikues ndërkombëtar të drogës.
Po ashtu Elvis Kelmendi ishte shfaqur në publik në vitin 2019, ku përmes një video inçizimi kishte kërcënuar Demë Elshanin, me familjen e të cilit janë në hasmëri që 21 vite.
Ai ishte në kërkim nga Policia e Kosovës, madje për këtë PK kishte kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për çdo informacion rreth vendndodhjes së tij.
Familja Kelmendi njihet për zotërim të madh të pasurisë, ata cilësohen si “bosët e drogës”, të kërkuar nga njësitet policore në disa vende të Ballkanit.
Djali iu arrestua në Sarajevë, çfarë po ndodhë me Naser Kelmendin?
Në Kosovë gjykohet babai i dënuar i Elvisit, biznesmeni nga Peja, Naser Kelmendi i akuzuar edhe për vepra tjera penale si trafikues ndërkombëtar i drogës dhe aktivitete të tjera kriminale.
Seanca e fundit gjyqësore ndaj tij është zhvilluar më 6 korrik të këtij viti.
Gjatë asaj seance Besnik Berisha, avokat i Naser Kelmendit ka kërkuar që në atë gjykim të jenë të pranishëm sërish dëshmitarët Robert Leshdedaj, Isuf Hasanaj dhe Samir Kuqi, duke e cilësuar këtë si kërkesë imperative.
Ndaj afaristit rëndojnë një mori akuzash, ai ishte shpallur fajtor për narkotikë. Por ishte shpallur i pafajshëm në akuzat për krim të organizuar dhe vrasje.
Kelmendi ka qenë edhe në llupën e drejtësisë së EULEX-it për akuza të krimit ndërkombëtar. Ndërsa, djemtë e tij, Elvisi, Liridoni dhe Besnku ndiqen edhe nga drejtësitë e vendeve të rajonit.
E për babai e tyre, në Kosovë Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014.
Me vite ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj tij, deri në shpalljen e fajësisë në vitin 2018.
Por ende nuk janë mbyllur të gjitha lëndët që rëndojnë mbi aktivitetin e Naser Kelmendit, biznesor dhe privat.
Si akuzë kryesore ndaj tij rëndojnë akuza specifike me kultivimin dhe shitjen e drogës dhe shpërndarjen jashtë territorit të Kosovës, duke përfshirë edhe vende të Amerikës Latine.