Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, tha të hënën se vëllai i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq së bashku me partneren e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq kanë hapur një spital gjigant në Beograd.
Për këtë çështje, Brnabiq deklaroi sot se partnerja e saj Milica Gjurgjiq do të njoftojë nëse do të hapë një klinikë me vëllain e kryeministrit malazez Dritan Abazoviq në Beograd dhe se nuk ka nevojë që ajo të flasë për këtë.
“Partnerja ime është një individ më vete, jeta e saj profesionale është jeta e saj profesionale dhe jam i sigurt se ajo do të flasë për këtë çështje, kështu që nuk ka nevojë të abuzoj me foltoren e Qeverisë së Serbisë për të folur për këtë”, tha Brnabiq.
Ajo tutje tha se i dukej interesante dhe se nuk është çuditur që “në fillim shkruhen gjërat dhe më pas njerëzit pyesin për këtë”.
Megjithatë, të hënën Sheholli theksoi se vëllai i Abazoviqit, është i lidhur me disa struktura në Beograd, e që nuk janë në koncept me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
“Para tre ditësh e ka vizituar Beogradin dhe e ka pritur Brnabiqi dhe pas dy dite doli lajmi që vëllai i tij është me gruan e Brnabiqit e kanë hapur një spital shumë të madh në Beograd. Vëllai i tij është në Beograd së bashku me partneren e kryeministres serbe në spitalin më të madh në Beograd. Kjo më bën të mendoj se ky është i lidhur me disa struktura të tjera që nuk janë bash qysh duhet në koncept të Gjukanoviqit”, tha ai.