Dy familje kosovare kanë rrezikuar mbytjen mbrëmjen e djeshme në det pranë gadishullit të Karaburunit teksa kanë qenë duke udhëtuar me motoskaf.
Policia bën me dije se bëhet fjalë për pesë persona që kishin ardhur me pushime në Vlorë, mes të cilëve edhe një fëmijë 2-vjeç.
Pas ndërhyrjes së policisë kufitare është bërë i mundur shpëtimi dhe nxjerrja e tyre në breg.
Njoftimi i policisë
Policia Kufitare e Vlorës iu vjen në ndihmë 2 familjeve që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues.
Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Policisë Kufitare Vlorë ka marrë njoftim për 2 familje kosovare që ishin duke lundruar në det, me një motoskaf, në afërsi të Gadishullit të Karaburunit, Vlorë, dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, pasi mjeti kishte pësuar defekt.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, për t’iu ardhur në ndihmë 2 familjeve që ishin në rrezik mbytjeje.
Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë në breg, me mjetet e Policisë Kufitare, 5 shtetasit kosovarë, midis tyre dhe një fëmijë 2 vjeç, të cilët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.