Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë ditës së djeshme njoftoi se është shkatërruar një laborator i substancave narkotike në fshatin Kovaçi të Zubin Potokut.
Sipas tij, janë sekuestruar 50 kg marihuanë e gatshme dhe 100 fije duke u përpunuar. Për këtë rast janë arrestuar gjashtë persona.
“Është shkatërruar me sukses laboratori i radhës i substancave narkotike në Zubin Potok, fshati Kovaçi. Nga njësitet relevante deri tash janë arrestuar 6 persona, (5 të etnisë serbe dhe 1 i etnisë gorane) si dhe janë sekuestruar 50kg marihuanë e gatshme dhe 100 fije duke u përpunuar. Angazhimi ynë në luftimin e çdo lloj krimi do të vazhdojë me intensitet të shtuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës pa asnjë dallim”, ka shkruar Sveçla.
“Mitropol” mëson nga burimet e veta brenda Prokurorisë se një nga personat e arrestuar gjatë këtij aksioni është edhe Bekim Gjafçe, 31 vjeçari i nacionalitet goran me banim në Lagjen e Boshnjakëve.
Veç tij, kosovari tjetër i arrestuar është qytetari serb 38 vjeçar Dragoljub Grujiq, i cili po ashtu jeton në veri të Mitrovicës.
Burimet njoftojnë se të arrestuarit e tjerë janë shtetas të Serbisë.
Veç tjerash, mësohet se Bekim Gjafçe, qytetari me nacionalitet goran është i afërm me nënkryetaren e Mitrovicës Veriore, Adrijana Hoxhiq e cila kishte shërbyer edhe si ministre e Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë Haradinaj.
Portali ka arritur të sigurojë edhe fotografi të përbashkët të tyre në ambiente shtëpiake.

Përveç tij, shtetasit serb të arrestuar në këtë aksion janë: Dragan Todoroviq, 34-vjeçar, Kërsto Duriq, 26-vjeçar, Nenad Nedelkoviq, 44-vjeçar si dhe Lubisav Millutinoviq, 36-vjeçar.