Petar Petkoviq i reagon Albin Kurtit - kjo është arsyeja

Lajme

Petar Petkoviq i reagon Albin Kurtit - kjo është arsyeja

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 15:17
Petar Petkoviq

Pas intervistës së Kurtit për “Zërin e Amerikës” ku ka thënë se formimi i Asociacionit është në interes të Serbisë por jo edhe të serbëve të Kosovës, duke u thirrur në letra të cilat po i merr nga ata, menjëherë ishte reagimi i drejtorit të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.

Petkoviqi ka thënë se mesazhet e Kurtit si kjo përfaqësojnë “kulmin e hipokrizisë dhe cinizmit”, ndaj i bën një pyetje:

“A janë në interes të serbëve më shumë se 200 incidente me motive etnike, përdhosje të varrezave dhe kishave serbe, dhunë institucionale, veprime të njëanshme të autoriteteve në Prishtinë që synojnë destabilizimin e situatës në terren dhe provokimin e një krize të re?”.

Ai pretendon se “e gjithë kjo nuk do të ndodhte po të ishte formuar Asociacioni” dhe pikërisht ashtu si, sipas fjalëve të tij, “është dakorduar me Marrëveshjen e Parë të Brukselit”.

Ai “e këshillon Kurtin” se, “në vend që të “profetojë” kush do e kush nuk do Asociacionin, do të ishte më mirë të përmbushë detyrimin e tij dhe të formojë atë me të gjitha kompetencat ekzekutive”.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mbron mbijetesën e popullit serb në krahinë dhe aty qëndron arsyeja kryesore pse Kurti refuzon ta formojë atë – sepse nuk i do serbët në Kosovë”, pretendon Petkoviq.

Ai shton se pikërisht për këtë Kurti po ndërmerr “veprime të njëanshme dhe të paligjshme me të cilat dëshiron të konfiskojë dokumentet personale dhe targat serbe me emrat e qyteteve serbe”.

“Në këtë mënyrë ai dëshiron të provokojë konflikte të reja dhe serbët dhe ekzistencën serbe ta heqë nga Kosova, me një obsesion të veçantë për ta fshirë nga harta veriun e Kosovës”, pretendon Petkoviq,  duke shtuar se “një skenar i tillë nuk do të arrihet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat