Kryetari i Parlamentit serb, Ivica Daçiq ka dalë sërish me akuza të rënda mbi Kosovën, teksa deklaron se është faktori kryesor i destabilitetit në rajon kjo pasi që ajo nuk i përmbahet asgjëje të rënë dakord në kuadër të dialogut e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në leximin e tij të situatës aktuale politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Daçiq, pretendon se Kosova posa të nënshkruajë një marrëveshje ndërkombëtare me Beogradin, kërkon arsye për të mos e zbatuar atë, edhe pse në marrëveshjen e fundit të nënshkruar ndërmjet dy vendeve në fushën e energjisë, është Serbia ajo e cila nuk i ka kryer detyrimet e saj.
“Kurti pretendon se marrëveshjet e Brukselit dhe Uashingtonit nuk ekzistojnë. Problemi është se Kosova nuk i përmbahet asgjëje për të cilën kemi rënë dakord. Është e qartë, për ata që nuk janë shurdh, memece dhe të verbër, kush është faktori kryesor i destabilitetit”, ka thënë Daçiq në një intervistë për mediumin serb “TV Prva”.
Sipas Daçiqit, Beogradi në gjithë këtë mes është ajo që dëshiron të “zbatojë” marrëveshjet dhe ta ruajë paqen në Ballkanin Perëndimor.
Pak kohë më parë Daçiq kërkoi edhe ndryshimin e emrit të Kosovës: “Asgjë nuk më habit, por atëherë duhet ta ndryshojnë edhe emrin, sepse Kosova është fjalë serbe, që thuhet edhe në faqen e CIA-s, ka thënë për Kosovën online kryetari i Kuvendit të Serbisë”.
Po ashtu Daçiq ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë dhe e Shqipërisë njëkohësisht. Në një intervistë, ai ka thënë se as Serbia dhe as Kosova nuk kanë sovranitet të plotë mbi territorin e Kosovës, dhe se Kosova është po aq e tij sa edhe e Thaçit dhe Kurtit. “As Serbia e as Kosova nuk ka sovranitet të plotë mbi territorin e Kosovës. As Kosova si gjoja një shtet i pavarur nuk ka sovranitet të plotë mbi tërë Kosovën. Kosova është shtëpi për të dyja palët”, tha ai.