Petkoviq vazhdon me gënjeshtra: Kurti urdhëroi rrëmbimin e Dejan Spahiqit

Lajme

Petkoviq vazhdon me gënjeshtra: Kurti urdhëroi rrëmbimin e Dejan Spahiqit

Më: 2 gusht 2022 Në ora: 17:20
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka urdhëruar rrëmbimin” e vozitësit të ambulancës, Dejan Spahiq, i cili u arrestua sot nga pjesëtarët e njësisë speciale ROSU në rrugën afër Zveçanit.

“Albin Kurti ka “urdhëruar rrëmbimin” e Dejan Spahiqit, vozitësit të ambulancës në Mitrovicën e Veriut dhe për këtë do të ngrihet kallëzim penal kundër Kurtit, i cili vazhdon të terrorizojë popullin serb në territorin e Kosovës”, ka pretenduar Petkoviq.

Ndryshe, Dejan Spahiq (57) është vozitës i ambulancës së Qendrës Klinike në Mitrovicën e Veriut, “i cili është rrahur dhe arrestuar sot nga pjesëtarët e policisë speciale ROSU në rrugën afër Zveçanit në Kosovë”, shkruan portali serb nova.rs.

Drejtori i QK në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Elek, ka pretenduar për mediat serbe se “Spahiq po transportonte nga Shtëpia e Shëndetit në Leshak medikamente dhe material sanitar për nevojat e QK në Mitrovicën e Veriut me automjetin e këtij instituti shëndetësor, por ai është ndaluar në Rudare afër Zveçanit nga pjesëtarët e ROSU-së”.

“Ata e ndaluan vozitësin tonë, më pas e rrahën dhe e dërguan me veturë në drejtim të panjohur”, ka thënë Elek.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat