Petkoviq: Mos të mashtrohet Kurti se vetëm i ka shtyrë masat për një muaj

Lajme

Petkoviq: Mos të mashtrohet Kurti se vetëm i ka shtyrë masat për një muaj

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 15:11
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se “në vend që Kurti të fillojë procedurat për përmbushjen e obligimeve të marra në Bruksel, garantues i të cilave është Bashkimi Evropian, vazhdon me fushatën e dezinformimit dhe sulmeve ndaj Serbisë dhe serbëve të veriut të Kosovës , të cilët i akuzon për qëllimet e tij të pandershme dhe të rrezikshme”.

“Meqë Albin Kurti është aq i zoti në matematikë, le të thotë sa kohë po presin serbët e Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çfarë duhet të ndodhë për të filluar aktivitetet për respektimin e gjashtë pikave të para të Marrëveshjes së Brukselit, sepse kjo është mënyra e vetme për vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në këtë zonë të Kosovës”, ka pretenduar Petkoviq.

Siç pretendohet tutje në kumtesën e “zyrës” së tij, Petkoviq ka thënë se “Kurti në vend që të fillojë procedurat për përmbushjen e obligimeve të marra në Bruksel, garantues i të cilave është Bashkimi Evropian, vazhdon me fushatën e dezinformimit dhe sulmeve ndaj Serbisë zyrtare”..

“I vetmi dezinformim dhe gënjeshtër ka ardhur nga Kurti, i cili ka dashur të paraqesë shkeljen e marrëveshjes me veprimet e njëanshme, grumbullimin e pjesëtarëve të ROSU-së, lajmet e rreme dhe me kërcënime me armë, si vendosje të paqes dhe një lloj reciprociteti ndaj Serbisë”, thotë Petkoviq.

Ai shton se e “vërteta e vetme dhe reale është se Kurti dhe njësitë e tij speciale nën komandën e tij po përgatiteshin për të kryer dhunë të paprecedentë ndaj serbëve në Kosovë dhe se fatkeqësia u shmang vetëm falë qetësisë, mençurisë, ekuilibrit diplomatik, por mbi të gjitha me politikën e vendosur të presidentit Aleksandar Vuçiq”, përsërit Petkoviq në stilin e papagallit, por në mënyrë shumë të disciplinuar, lëvdatat ndaj shefit të tij.

“Në momentin kur Kurti tërhoqi masat e njëanshme, edhe serbët nga veriu i Kosovës u tërhoqën. Pra, i mjaftuan pesë minuta që Kurti të tërhiqte vendimet e njëanshme dhe të ruante paqen. Kjo është e vërteta e vetme. Mos të mashtrohet Kurti se ai vetëm i shtyu masat e tij, sepse ai e di shumë mirë se serbët nuk do të pajtohen kurrë me shkeljen e marrëveshjes dhe privimin e të drejtave të tyre legjitime njerëzore”, pretendon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat