Presidenti serb Aleksandar Vuçiq bashkë me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, kanë biseduar rreth një orë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Tanjug shkruan se takimi i cili ishte lajmëruar nga Vuçiq të enjten në Bruksel tashmë ka përfunduar.
Ai do të ketë një adresim për media rreth orës 14:30.
I kërkuar nga Policia e Kosovës, Milan Radojçiq shihet në takim me Vuçiqin
Milan Radojçiq, i cili është në kërkim nga Policia e Kosovës për shkak të akuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës se është i inkriminuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit është parë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimi i cili po mbahet në Pallatin e Serbisë, ka filluar pas orës 11:00, ku mes tjerash, Vuçiq ka ftuar të gjithë spektrin politik serb nga Kosova pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit dhe takimeve në Bruksel, në kuadër të dialogut.
Në pamjet e publikuara nga ky takim po marrin pjesë edhe kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, zv/kryetarët e LS-së, Igor Simiq, Dalibor Jevtiq, si dhe i kërkuari nga autoritetet e Kosovës Milan Radoiçiq, që kohëve të fundit ka sfiduar disa herë shtetin e Kosovës.
Ai javë më parë ka postuar një video në të cilën tregon se rikthyer në atë që ai e quan “Kosovë e Metohi”.
Në një video të postuar në Youtube, ai ka thënë se nuk ka më kthim prapa dhe se nuk do të zbrapset më.
Në video mesazhin 32 sekondësh, nënkryetari i Listës Serbe i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar se terrori kundër popullit serb po fillon.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, deklaronte Radojçiq nga Leposaviqi.
Vuçiq nis takimin me serbët e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke e mbajtur takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me të cilët po diskuton për takimin e së enjtes në Bruksel.
Në takim po marrin pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe si dhe kryetarë të komunave në veri si dhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Më pas kreu i shtetit serb do të mbajë fjalimin e paralajmëruar që nga e enjtja.
Ai atë ditë u takua në kryeqendrën evropiane me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.