Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me patriarkun serb Porfrije dhe peshkopin e Baçkës, Irinej, të cilët i ka njoftuar për rrjedhën e bisedimeve me përfaqësuesit e Kosovës dhe BE-së në Bruksel.
“Së bashku shprehëm shpresën se si vend dhe popull do të kemi forcën për t’u rezistuar të gjitha presioneve, për të ruajtur emrin dhe mbiemrin serb në Kosovë, si dhe shtetësinë serbe”, ka shkruar presidenti Aleksandar Vuçiq në Instagram.
Ai ishte në Bruksel më 17 dhe 18 gusht, ku fillimisht u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e më pas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në prani të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Evropiane, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin Special për Dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë nga Miroslav Lajçak.
Gjatë fjalimit të drejtuar popullit nga Pallati i Serbisë, presidenti i Serbisë tha se Kurti ka refuzuar gjithçka që delegacioni serb ka propozuar në Bruksel.
Bisedimet mes dy palëve, nën mbikëqyrjen e BE-së, nuk përfunduan me marrëveshje, gjë që ka konfirmuar Borrell të enjten pasdite.