Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se ditën e djeshem ka vdekur papritmas kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi, në moshën 31-vjeçare.
Bujupi ishte kornist i parë i Orkestrës. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë ndërsa atë universitar në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Universitetin e Prishtinës.
Ka punuar edhe me instrumentistë të njohur ndërkombëtar si: Guido Curti (Itali), Gregory Jones (SHBA), Premysl Vojta (Çeki) etj.
Që nga viti 2012 ishte anëtar i Filharmonisë së Kosovës. Krahas aktivitetit me orkestrën filharmonike, Bujupi ishte edhe anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së dhe anëtar i kuintetit të tunxhit “Prishtina Brass”.
“Ka realizuar koncerte recitale dhe ishte pjesëmarrës në formacione orkestrale si “Albanian Youth Orchestra” dhe “Kosovo Youth Orchestra”. Ndarja e parakohshme e kolegut Bledar Bujupi është humbje e madhe, jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës por edhe për skenën e muzikës klasike në vend. Për detaje rreth mbledhjes komemorative në nderim të kornistit Bledar Bujupi, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës.