Bogdanoviq: Absurditeti i tregimit të Vuçiqit për Kosovën

Lajme

Bogdanoviq: Absurditeti i tregimit të Vuçiqit për Kosovën

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 12:35
Goran Bogdanoviq

Ish-ministri për Kosovë në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviq, e ka konsideruar absurde që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas 10 vjetëve negociata dhe pas “fitoreve të vazhdueshme” të deklarojë se jemi “të mbështetur për muri” dhe se ai duhet të shpjegojë, por edhe të jep dorëheqje për shkak të një qëndrimi të tillë.

I pyetur nëse vërtet mund të ketë konflikte të reja, Bogdanoviq ka thënë për gazetën serbe “Nova” se është mosmirënjohëse të flitet për këtë, por është e sigurt se KFOR-i po bën gjithçka për të parandaluar konflikte të reja.

“Mendimi im është se lufta nuk mund të ndodhë, por mund të ndodhin disa incidente. Por mendoj se është absurde se do të ketë dëbim dhe luftë. Retorika me të cilën na trembin çdo ditë nuk çon askund, ne kemi një trend të vazhdueshëm të largimit të serbëve nga Kosova, kjo çfarë po flet Vuçiqi është vetëm një nxitje për ata të cilët kanë qenë në “buzë” të marrin vendimin për ta braktisur Kosovën”, ka thënë Bogdanoviq.

Sa i përket çështjes së dokumenteve personale, e cila së bashku me targat janë shkaku i tensioneve të fundit, Bogdanoviq theksoi se 95 për qind e serbëve nga veriu i Kosovës kanë letërnjoftime të Kosovës, që sipas tij është rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 dhe “integrimi i detyruar i serbëve në institucionet e Kosovës”.

Në pyetjen nëse kjo “letër” (dokument hyrje-dalje) vlen vetëm për ata pesë për qind të qytetarëve serbë që nuk kanë letërnjoftime të Kosovës, Bogdanoviq është përgjigjur pozitivisht.

“Kur u dorëzua policia, gjyqësori, kodi telefonik, kur u nënshkrua marrëveshja për energjinë… kur u dhanë gjëra shumë më të mëdha, çfarë përbën realisht shtetësinë e Kosovës, askush atëherë nuk ngriti tensione, as nuk protestoi e as nuk caktoi adresime të jashtëzakonshme publike”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai e ftoi Vuçiqin të tregojë se “çfarë kërkon Kurti t’i vjedhë Serbisë, e ajo nuk ia ka dhënë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat