Vuçiq brohoritet nga turma: Si mund të më quani mua tradhtar?

Lajme

Vuçiq brohoritet nga turma: Si mund të më quani mua tradhtar?

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 15:18
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbië, Aleksandar Vuçiq nuk është pritur mirë nga qytetarët gjatë një paraqitje që kishte në Oseçinë të Serbisë.

Derisa Vuçiq po mbante fjalim, nga pjesëmarrësit u dëgjuan brohoritje ku ai quhej “tradhtar” dhe akuzohej se “ka dorëzuar Kosovën”.

Përgjigja e Vuçiqit ishte se ai po lufton për Kosovën, për dallim prej të tjerëve që siç tha ai “e kanë dorëzuar Kosovën”.

Si do t’i shpjegoni dikujt se është kundër Serbisë, por po lufton për Kosovën, të cilën disa të tjerë e kanë dorëzuar në një pjatë. Si do ta quani tradhtar dikë që është i vetmi në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, u përgjigj Vuçiq.

Ai vazhdoi duke folur për takimet që kishte pasur në ditën e fundit me emisarët Gabriel Esobar dhe Miroslav Lajçak.

Vuçiq vazhdon të insistojë se Serbia është pala konstruktive në dialog e cila thotë ai po sillet në përputhje me interesat e shtetit.

“Ne kërkojmë që serbët të lëvizin me dokumentet tona, ne nuk kërkojmë asgjë për ne, por për ata. Dhe e gjithë kjo është në përputhje me marrëveshjet e arritura. Ata thonë se mund lëvizni me targa BG, por, nuk mundeni me traga KM”, tha Vuçiq.

Por, Vuçiqi thotë se kjo është vetëm një pjesë e problemit dhe se është vetëm çështje kohe para se siç tha ai ” të futemi në një krizë edhe më të madhe”.

“Mund ta imagjinoni në dy muajt e ardhshëm se çfarë tensionesh do të ketë. Të paktën ta pranonin çështjen e dokumenteve, që njerëzit tanë të hyjnë e dalin me dokumentet tona”, u shpreh Vuçiq.

Gjatë ditës i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas dy rundesh bisedimesh me Vuçiqin bashkë me ndërmjetësin evropian në dialog, tha se është koha që Serbia dhe Kosova të zotohen se nuk do të ketë dhunë.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Ambasadën amerikane në Beograd.

Ndërkaq, ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak ka folur shkurt duke thënë se “shpreson që janë në rrugën e duhur” dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

“Pas një raundi të dytë diskutimesh mbrëmë vonë, shpresoj se jemi në rrugën e duhur. I vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit serb për të mbështetur një zgjidhje evropiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçak.

Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat