Situata në Veri mund të eskalojë. Këtë e paralajmëron Presidenti serb Aleksander Vuçiç.
Gjatë një konference për mediat, Vuçiç tha se pas konsultimit me shumicën e anëtarëve të Qeverisë, është marrë vendim për anulimin e ‘Paradës së Krenarisë’. Sipas tij, ky vendim lidhet me frikën se kriza me Kosovën mund të thellohet dhe më shumë.
‘Këtë e them jo se jam i lumtur, por sepse nuk mundemi në këtë moment, kur kemi një krizë në Kosovë, e cila kam frikë se do të thellohet, nuk kemi ku të lëvizim. Ne nuk do të heqim dorë nga targat KM. Nuk do ta pranojmë as këtë për dokumentet, nëse nuk pranojnë propozimin tonë. Shteti tani është nën presion nga të gjitha anët – thekson Presidenti serb.
Thirrjet e ndërkombëtarëve për shmangien e dhunës në Veri të Kosovës, po intensifikohen me afrimin e 1 Shtatorit, kur hyn në fuqi vendimi i shtyrë i Qeverisë ‘Kurti’, për reciprocitetin me targat dhe dokumentet e identifikimit.
Nuk përjashtohet rikthimi i tensioneve në Veri, madje këtë po e paralajmëron vetë Vuçiç, edhe pse SHBA-BE i kanë nxjerrë djersë të ftohta ditët e fundit, për të paranduar atë që mund të ndodhë.