Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të marrë pjesë edhe në një organizim në kuadër të nismës Ballkani i Hapur.
Ai ka pranuar ftesën për pjesëmarrje në panairin e verës “Vizioni verës – Ballkani i Hapur”, që më 1 shtator do të mbahet në Beograd, ka njoftuar gazeta podgoricase “Vijesti” të hënën.
Panairi organizohet nga qeveritë e tri vendeve nismëtare të Ballkanit të Hapur, Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Për Abazoviqin kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë në kuadër të aktiviteteve të Ballkanit të Hapur.
Mali i Zi nuk është pjesë e kësaj nisme, por Abazoviq ka shprehur gatishmërinë t’i bashkohet.
As Kosova e Bosnjë-Hercegovina nuk janë pjesë e kësaj iniciative. Edhe Bosnja ka dhënë sinjale t’i bashkohet, ndërkohë Kosova vazhdon ta kundërshtojë.