VOA: Kryeministrja serbe Bërnabiç viziton Kosovën – kërkon kompromis

Lajme

VOA: Kryeministrja serbe Bërnabiç viziton Kosovën – kërkon kompromis

Më: 5 shtator 2022 Në ora: 20:21
Ana Brnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç tha të hënën se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësishëm, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen për gjetjen e një kompromisi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ajo i bëri këto komente në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të vizitës së saj të parë në Kosovë si kryeministre e Serbisë.

“Sinqerisht dhe thellësisht shpresoj që institucionet në Prishtinë më në fund do të angazhohen sinqerisht për dialog dhe për të gjetur një kompromis të caktuar që është i nevojshëm për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo duke nënvizuar se interesi i Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe qëndrueshmëria.

“Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm. Kur ka dialog, ka shumë më pak mundësi për ndonjë lëvizje të njëanshme dhe për keqtrajtim të mëtejshëm të serbëve në Kosovë. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm dhe jemi gjithmonë të gatshëm për atë dialog”, tha ajo.

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç tha se tani është koha për të formuar asociacionin e komunave serbe dhe për këtë tha ajo Serbia do të këmbëngulë çdo ditë.

Vizita e kryeministres serbe pasoi arritjen e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve mes Kosovës dhe Serbisë, pas një periudhe përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet tyre, ndërsa aktualisht sfidë mbetet çështja e targave të makinave. Më 1 shtator ka filluar të përfundojë afati dy mujor për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës të kohës së Jugosllavisë. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS.

Vendimi kundërshtohet nga Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës.

Bashkimi Evropian shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron njoftuan gjatë fundjavës se kanë angazhuar këshilltarët e tyre të sigurisë për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër të të përbashkët drejuar udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë thuhet se “normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”.

Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në fillim të këtij viti, faktorët ndërkombëtarë kanë shtuar trysninë ndaj Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje ndërmjet tyre që do të çonte në uljen e tensioneve në rajon./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat