Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Kelvis Balliu thotë se shqiptarët në vendin tonë, por edhe në Kosovë nuk i kanë anuluar prenotimet e tyre në “Prestige Resort”. Sipas tij, ata do të vijnë në solidaritet me fjalën e lirë.
Balliu u shpreh se të gjithë tani e dinë se për çfarë është ndërmarrë ky aksion i paligjshëm në “Prestige Resort”.
“Shqiptaret në Shqipëri dhe Kosovë që kanë planifikuar të pushojnë në Prestige Resort nuk i kanë anuluar prenotimet e tyre, ata do vijnë në mbështetje të fjalës së lirë. Dmth nuk ka qytetar shqiptar që nuk e di për cfarë bëhet kjo dhe kjo tregon për ndjeshmërinë morale që kanë qytetarët shqiptarë”, tha Balliu.
Balliu theksoi se Rama nuk duroi dot të vërtetat për doganat dhe prandaj vendosi të godasë bizneset e lidhura me mediat kritike. Sipas Balliut, Rama nuk honepsi kritikat ndaj doganave, sepse pikërisht në to bëhet trafiku më i madh i lëndëve narkotike. Klevis Balliu nënvizoi se kur janë shembur shtëpi te Unaza, ka vërejtur se në IKMT ka pasur persona të dënuar për drogë.
“Kur janë bërë shembjet në Unazë, kemi vërejtur se kishte njerëz me uniforma të IKMT, që ishin dënuar për trafik droge. Këtu nuk ka ligj e procedurë, këtu po të kishte ligj nuk do të ishim duke diskutuar. Më thoni se në cilin vend normal ndodh kjo që në pikën e sezonit turistik të vjen fadroma e të shkatërron bizneset. Këtu edhe shtëpitë që janë prishur në Unazën e Re, janë prishur sepse është vjedhur, sepse një kilometër rrugë bënte miliona euro. Këtu kemi vjedhje të pronës, ndërhyrje në biznes privat, që tregon se asnjë media e biznes nuk është i sigurt, asnjë qytetar. Rama po vjedh e po shkatërron gjithçka.
Pyetja është si do ndalojmë një njeri që ka urrejtje për ligjin. Ky njeri ka shkuar në resort, ka ngrënë bukë e shkon tani çon fadromat, ka shkelur çdo parim që kanë traditë shqiptarët. Nëse ka shkelje në rastin e shembjeve në Prestige Resort, të arrestohet Rama, por këtu nuk ka shtet. E gjitha është sulm ndaj medias së lirë. Ky vendim i marrë në fundjavë, është vendim i marrë nën panik nga Rama, sepse kishte denoncim te doganat, ku luan droga, sepse me drogën mban pushtetin dhe mban marrëdhëniet me pushtetin. Resorti është justifikimi, media është qëllimi”, tha Balliu.