Millan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, i cili gjendet në urdhër arrestin e autoriteteve kosovare dhe në listën e zezë të SHBA, merr pjesë në seancën e parlamentit serb.
Ai është ulur në ballkonin e sallës së kuvendit, së bashku me Goran Rakiqin dhe anëtarët e tjerë të Listës Serbe dhe po ndjek prezantimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, raportojnë mediat serbe.
Radoiçiq më parë ishte i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviq. Mirëpo, ai tani është në kërkim edhe për shkak të rastit Brezovica, i cili në Kosovë po ndiqet penalisht për korrupsion dhe ndërtime pa leje dhe për dyshimin se ka kryer edhe një vepër penale – frikësimin e dëshmitarëve.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Financave ka njoftuar se më 8 dhjetor kishte vendosur në listën e sanksioneve nënkryetarin e Listës Serbe, partisë kryesore serbe në Kosovë, Millan Radoiçiqin, një biznesmen nga veriu i Kosovës , Zvonko Vesellinoviq, vëllain e tij Zharko, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta. Ata akuzohen për lidhje me krimin e organizuar transnacional.