Është një mundësi krejtësisht reale që pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës – Greqia, Spanja, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania – të ndryshojnë qëndrimin e tyre, edhe para afatit të përcaktuar me planin 13-pikësh të Scholz-it dhe Macron-it, dhe aktualisht më afër njohjes është Greqia, pohojnë burime diplomatike të gazetës serbe “Danas”.
Plani i fundit 13-pikësh i Gjermanisë dhe Francës, për të cilin kanë shkruar mediat, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me bazë të njohjes reciproke, parasheh që të gjitha pesë vendet e BE-së që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që marrëveshja të fitojë legjitimitetin e plotë në nivel të BE-së.
Në tekstin e Danas-it, thuhet më tej se "plani i ri i inicuar nga presidenti francez dhe kancelari gjerman parashikon një kornizë të re për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të kërkonte që dy palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare formale për njohjen brenda 10 vjetëve të ardhshme, e cila do të jetë një parakusht për anëtarësimin e të dyja palëve në BE”.
“Nëse propozimi pranohet, pavarësia e Kosovës do të pranohet nga pesë vendet e mbetura të BE-së, ndërsa Serbia do të ketë ndihmë të konsiderueshme financiare dhe do të njihet si fuqi në rajon”, shkruan më tutje në tekst.
Nga pesë vendet e mbetura – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, Greqia është aktualisht më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, sipas burimeve të Danas-it nga qarqet diplomatike.
Greqia është më afër me këtë sepse aktualisht po e trajton Kosovën në çdo gjë si shtet të pavarur dhe është vetëm çështje kohe se kur do ta bëjë këtë zyrtarisht. Deri më tani, Greqia nuk e ka njohur Kosovën për shkak të interesave të atij vendi dhe dinamikës rajonale të marrëdhënieve, por problemi kryesor ballkanik që kishte Greqia – mosmarrëveshja me Maqedoninë e Veriut – është zgjidhur. Ata nuk kanë asnjë pengesë tjetër për çështjen e pavarësisë përveç Qipros”, thonë burimet e Danas.
Mirëpo, ata shtojnë se meqë Qiproja është anëtare e BE-së, kjo çështje dallon mjaft nga ajo e Kosovës dhe se autoritetet në Greqi mund ta theksojnë këtë dallim nëse dëshirojnë të marrin mbështetje për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nëse Greqia e bën këtë, Qiproja me siguri do të zemërohet, por sigurisht që nuk do të mbetet i vetmi vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nëse BE-ja kërkon unitet nga anëtarët e saj dhe nëse Greqia e ngre këtë çështje, në atë rast, është vetëm çështje kohe dhe marrëveshjeje se kur do të bëjë të njëjtën gjë edhe Spanja. Për Rumaninë dhe Sllovakinë, çështja është edhe më e thjeshtë”, thonë burimet diplomatike të gazetës serbe.
Deri më tani për Serbinë ka qenë domethënëse fakti që negociatori kryesor i BE-së, i dërguari special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, vjen nga Sllovakia, e cila ndan qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës, si dhe fakti se eurodeputeti nga ky shtet është në krye të pozitës së raportuesit të PE-së për Serbinë – Vladimir Bilçik.
“Edhe pse në radhë të parë ata janë zyrtarë të BE-së dhe zbatojnë politikën e Bashkimit Evropian, për Serbinë ka pasur mjaft mirëkuptim nga ana e tyre deri më tani, dhe zyrtarët evropianë asnjëherë nuk distancohen plotësisht nga pozicionet e marra nga autoritetet në vendet nga vijnë. Megjithatë, nëse BE-ja vendos se është koha dhe se duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo ndikohet në radhë të parë nga marrëdhëniet aktuale gjeopolitike, do të duhet të jetë prioritet për të gjithë zyrtarët e saj”, thonë burimet e gazetës.