Njoftimin përmes së cilit kërkonte punëtorë, tashmë po e heq. Kjo meqë pronari i këtij biznesi në Skenderaj Ismail Aliqkaj, e gjeti një të tillë, por pasi i ofroi 700 euro pagë mujore.
Ai thotë se kuzhinierin që e kishte, e la punën për të ikur jashtë vendit, mirëpo prapë ka frikën se edhe i riu mund të veproj njëjtë.
Thotë se për të gjetur punëtorë është bërë tejet vështirë. Mirëpo Bleon Shaqiri, i cili punon në të njëjtin biznes e bënë me shumë qejf punën.
Ai thotë se nuk e ka problem që paradite të shkojë në shkollë, ndërsa pasdite të shërbejë në kioskën që gjendet në sheshin “Adem Jashari”.
Me mungesë të punëtorëve po përballen edhe sektorët e tjerë. Pronarët e bizneseve vazhdimisht ankohen se të njëjtit po e lënë Kosovën, për të gjetur pagë dhe kushte më të mira të punës. Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, për 6 muajt e parë të këtij viti rreth 65 mijë punëtorë e kanë lënë punën.