Ish i dërguari i BE-së për Kosovën, Volfgang Petrich ka deklaruar se “është e domosdoshme gjetja e gjuhës së përbashkët mes Beogradit dhe Prishtinës”, duke shtuar se “propozime të ndryshme janë duke qarkulluar dhe ndër to ka edhe ide interesante”, shkruan “Politika” transmeton “Bota Sot”.
Diplomati austriak ka theksuar edhe se “tash është koha për kundër – propozime”, posaçërisht nga Beogradi.
“Ka disa ide që po qarkullojnë, është e parëndësishme të quhen “non-pejper” apo propozime. Në ato propozime ka edhe disa ide shumë interesante. Duhet të nisemi të bisedojmë për propozime dhe ide ashtu që të arrijmë tek zgjidhja e përbashkët me të cilën të dy palët edhe Beogradi edhe Prishtina duhet të pajtohen”, ka deklaruar Petrich për “Euronews Serbia”.
Petrich ka përkujtuar se Serbia është një ndër vendet më të mëdha në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe përherë do të jetë dominues në kuptimin ekonomik, pa marr parasysh a do ketë zgjidhje apo nuk do të ketë, shkruan gazeta.
"Nisur nga kjo, Serbia ka përgjegjësi politike që të kontribuoj në zgjidhjen e çështjes. Nëse ajo zgjidh çështjen e rëndë të Kosovës, Serbia do të fitojë shumëçka. Bëjeni këtë dhe do të merrni rezultate shumë pozitive nga Brukseli dhe nga qendrat e mëdha evropiane”, i inkurajoi ai serbët.