SHBA i tregon vijat e kuqe Serbisë, ndërhyn pas marrëveshjes së Vuçiqit me Putinin

Lajme

SHBA i tregon vijat e kuqe Serbisë, ndërhyn pas marrëveshjes së Vuçiqit me Putinin

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 13:48
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq

Laku amerikan ndaj Serbisë sa vjen edhe po ngushtohet. Ujdia mes ministrave të jashtëm, Sergei Lavrov dhe Nikola Selakoviç ka shqetësuar dhe Shtetet e Bashkuara. Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur se Serbia po bën hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane. Por edhe pse nga SHBA, apo BE ka një presion të fortë, Beogradi nuk bën asnjë hap pas. Ministri i Brendshëm serb Aleksandër Vulin shprehet se Serbia nuk ka bërë asnjë gjë të gabuar.

“Njoftimi i Departamentit të Shtetit që kritikon Serbinë, sepse nënshkroi Planin e Konsultimeve me Federatën Ruse, është befasues dhe një hap në drejtimin e gabuar, për të përdorur gjuhën e Departamentit të Shtetit. Serbia nuk ka bërë asgjë që bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe në veçanti nuk ka bërë asgjë që është kundër interesave të qytetarëve të saj, që për ne në Serbi është masa e të gjitha gjërave”, tha Vulin ditën e djeshme.

Vulin sulmon SHBA

Ministri i Brendshëm serb pretendon se SHBA-ja “ulet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me Federatën Ruse dhe pret që Serbia të bëhet pjesë e histerisë anti-ruse”. “Ashtu si në shembullin e mosrespektimit të integritetit territorial të Serbisë dhe duke kërkuar që Ukraina të jetë e paprekshme, SHBA-të konfirmojnë se hipokrizia dhe standardet e dyfishta janë konstantet e vetme të politikës së fuqive të mëdha, veçanërisht atyre që bombarduan Serbinë. Ne jemi një popull i vogël, por jemi një komb i lirë dhe përderisa do të udhëhiqemi nga Aleksandër Vuçiqi, do të mbetemi të lirë dhe do të vendosim vetë se cilët janë miqtë tanë dhe me kë dhe si të bashkëpunojmë. Serbia nuk është vend i madh, por nuk është as rezervë, ne vendosim vetë”, tha Vulin, duke komentuar deklaratën e Departamentit të Shtetit që kritikon planin e nënshkruar të konsultimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe ka theksuar se Serbia nuk duhet të zgjerohet. bashkëpunim me Rusinë.

Ja mesazhi i fortë i DASH për Serbinë

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se SHBA-ja beson që asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë ndërkohë që ajo vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.

Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov. Marrëveshja u nënshkrua ndërsa dy ministrat ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”, tha dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Të hënën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara zhvilluan “bisedime të frytshme” me delegacionin e Serbisë për çështje globale por edhe çështje tjera dhe më pas morën vesh për marrëveshjen e cila nxiti reagime edhe të politikanëve të Bashkimit Evropian.

Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat