Aktori Çun Lajçi me disa vargje prekës ka përkujtuar vajzën e tij, aktoren Bubulina Lajçi.
Ai në postimin e tij në Facebook tregoi si iu përftyrua vajza e tij, Bublina n’kodrat e Dragodanit dhe e 'qortoi' pse nuk e vizitoi te varret.
“Të varret e hueja ke shkua e s’ke ardhë të varri i çikës tande!
Pse m’harrove kësaj vere?
Erdhi vjeshta e nuk m’erdhe të varri!?
Tetori i skuqi gjethet e dardhës që rrin afër gurit tim. Kan ra n’tokë dardhat e shapueme e s’erdhe me i mbledhë, me mi vu mbi kokë!
Edhe gjethet janë zverdhua”, shkroi n vargjet e tij Lajçi, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Mora tëposhtëzës për n’qytet. N'kodra mbetën varret
Nji varg tjetër po ngjitej me nji të vdekun tjetër! Mua m’erdhi ndërmend nji varg t’cilin e pata shkrua kur me vdiq vajza:
__nëse s’e shihni rrugëve t’qytetit, shkoni të varrezat se korbat do ti gjeni mbi dheun e saj!
Tek tani qava edhe për Ademin. Qava se Bubulina m’doli përpara, këtu n’kodrat e Dragodanit!
__Të varret e hueja ke shkua e s’ke ardhë të varri i çikës tande!
Pse m’harrove kësaj vere?
Erdhi vjeshta e nuk m’erdhe të varri!?
Tetori i skuqi gjethet e dardhës që rrin afër gurit tim. Kan ra n’tokë dardhat e shapueme e s’erdhe me i mbledhë, me mi vu mbi kokë!
Edhe gjethet janë zverdhua.
Katundi asht zhveshë prej gjelbërimit e prej njerëzve.
T’shurdhueme mbetën shtëpiat! T’shkreta varret!
M’kan mashtrua librat moj e mirë! Librat m’kan mbetë rrugëve tue thirrë emnin tim! Asht dashtë me mbajtë shpirtin e tet et e t’vëllaut. Edhe t’nji nane moj e mirë! Kam ecë trotuarve tue folë me shpirtin tand, por s’kam mujt mu ngjitë n’katundin e vajit tim! Se vaj m’shkoi vera e me vaj po me nxen dimni!
Me kend po flet o artist? Ju edhe rrugëve flisni sikur t’ishit n’skenë!
Juve kurrë s’iu mungojnë fjalët. As njerëzit s’iu mungojnë. I gjeni edhe rrugëve edhe andrrave!
Sa mirë me qenë artist e me folë me vetvetën, m’tha nji kalimtar rasti!
Nuk e shikova. S’dita ishte i ri apo i vjetër. Vajzë apo djal! Por s’iu përgjigja! S’deshta me ia prishë imazhin e bukur për artistin! S’e dinë me sa shumë dhimbje ndërtohet arti! S’e dinë se shpirti i artistit shkrihet për nji grimcë shkëlqim! E shkëlqimi zgjatë sa nji vetëtimë!
Pse me pikëllua thashë me vujtjet e mia? S’e shikova e s’iu përgjigja.
Ndoshta mendoi se jam mendje madh. Ndoshta mendoi se jam egoist! Ndoshta edhe m’shau. Ku ta di unë, por ai m’foli e unë heshta!
02.10.2022