Me rastin e deklaratës së ambasadorit të Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkach, se për Kievin është gjithnjë e më e vështirë të kuptojë argumentet e Serbisë për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, ministri i brendshëm serb, dhe përkrahësi i madh i Rusisë, Aleksandar Vullin është përgjigjur me ironi se “nuk mund të kujtojë kërkesën e Ukrainës për një seancë speciale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo vendosjen e sanksioneve kundër NATO-s për shkak të bombardimeve të Serbisë”.
Sipas kumtesës së ministrisë së brendshme të Serbisë, Vullin ka thënë se nuk është vonë që Ukraina dhe të gjitha vendet që kërkojnë gjykim për krimet e luftës në konfliktin ukrainas-rus të kërkojnë që të gjykohen “vrasësit e fëmijëve serbë në agresionin e NATO-s” dhe që “kjo është një mundësi për të treguar parime”.
“Dhjetëra djem dhe vajza serbe u vranë në bombardimet e NATO-s. Nuk më kujtohet kërkesa e Ukrainës për një seancë speciale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo vendosja e sanksioneve kundër agresorëve të Serbisë.
Nuk është vonë për Ukrainën dhe të gjitha vendet që kërkojnë gjykim për krime lufte në konfliktin Ukrainë-Rusi, të kërkojnë që vrasësit e fëmijëve serbë në agresionin e NATO-s të gjykohen, krimet e luftës nuk parashkruhen, kjo është një mundësi për të treguar parime”, ka thënë Vullin, duke bërë haptas me dije se Serbia nuk e ka ndërmend t’i bashkëngjitet vendeve të BE-së dhe vendeve tjera demokratike në botë përkitazi me vënien e sanksioneve kundër Rusisë.