Së bashku me Bjellorusinë, Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës me sanksione dhe tani aneksimin e pjesëve të territorit të Ukrainës në Federatën Ruse.
Përkatësisht, në ato zona u mbajtën referendume dhe Moska njoftoi se banorët e Donbasit, si dhe të rajoneve Kherson dhe Zaporizhia, “bënë një zgjedhje të vetëdijshme dhe të lirë në favor të Rusisë”.
Ministria e Punëve të Jashtme ruse njoftoi se referendumet janë mbajtur në përputhje të plotë me standardet dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe më pas iu referua rastit “Kosova”.
“Populli ushtroi të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së, marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të vitit 1966, Aktin Final të Helsinkit të OSBE-së të vitit 1975 dhe aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën më 22 korrik 2010. Ky i fundit konfirmoi se shpallja e njëanshme e pavarësisë së një pjese të vendit nuk cenon asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare”, pretendohet në kumtesë.
Nuk është hera e parë që Rusia t’i referohet Kosovës, por tani ky vendim i GJND-së për Kosovën përmendet për herë të parë në një kumtesë zyrtare, me qëllim që të arsyetojë aneksimin e pjesëve të territorit ukrainas.
Dragan Shormaz, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, ka deklaruar për portalin serb “Nova” se “Moska tani i referohet opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare, edhe pse përfaqësuesi i tyre votoi kundër opinionit të paraqitur në vitin 2010”. Ai beson se “Serbia duhet të vendosë menjëherë sanksione ndaj Rusisë”.
“Mendoj se pas kësaj që kanë bërë tani, ne duhet t’i bashkohemi paketave të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kjo (kumtesë) është zyrtare. Këtu u vu vula e shtetit. Është kundër interesave të Serbisë. Nuk e kuptoj pse nuk duhet të vendosim sanksione që janë në interes të Serbisë, pavarësisht se ato janë në kundërshtim me interesat e Rusisë. Edhe Rusia bëri diçka që është kundër interesave tona”, përfundon Shormaz.
I pyetur nëse qeveria do ta bëjë këtë, ai thotë se vendimi i parë i qeverisë së ardhshme, sapo të zgjidhet, duhet të jetë vendosja e sanksioneve.
Shormaz thotë se “nuk është i befasuar nga referimi i Moskës në Kosovën, sepse Vladimir Putin ka folur tashmë për këtë në të paktën dy raste, si dhe ka thënë në tre raste se Rusia duhet të parandalojë një gjenocid të ri në Donbass, siç ishte ai në Srebrenicë”.