Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadorin e Irlandës në Këshillin e Evropës, Breifne O’Reilly.
Njoftimin për këtë takim e publikoi Zyra e Ambasadorit të Irlandës në KiE, në llogarinë zyrtare në Twitter.
“Këtë mëngjes Ambasadori O’Reilly është takuar me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz për të diskutuar angazhimet e saj me Këshillin e Europës”.
Në këtë njoftim shkruan se në këtë takim, u fol mbi angazhimet e Kosovës drejt synimit të saj për anëtarësim në Këshill të Europës, raporton RTKlive.
Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se është e pasigurt nëse çështja e Kosovës do të jetë në agjendën e Këshillit të Evropës.
Misioni serb në Strasburg i ka thënë RTS-it se Beogradi ka arritur ta parandalojë kërkesën zyrtare për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës me përpjekje intensive diplomatike.
Megjithatë, procedurat janë të tilla që nuk do të dihet deri në momentin e fundit.
Për anëtarësim në KiE, Kosova ka dorëzuar aplikacionin e saj në maj të këtij viti.