Milosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane me bazë në Beograd, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se bashkimi i katër provincave ukrainase me Rusinë dhe krahasimi i këtyre rasteve me atë të Kosovës nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, tregon që Serbia po e humb mbështetjen ruse për Kosovën.
Sipas tij, shteti serb nuk mund të llogarisë në mbështetjen e pakushtëzuar të Rusisë sepse ky vend i ka vënë interesat e veta të zgjerimit të territorit para interesave të mbrojtjes së integritetit territorial të Serbisë, ka thënë Pavkoviq.
Sipas Pavkoviqit, studiues në Qendrën për Politika Evropiane, vetë krahasimi i Kosovës dhe i katër rajoneve ukrainase nuk është i drejtë sepse nuk ka bazë juridike për vetëvendosjen e këtyre katër rajoneve në asnjërin prej akteve ndërkombëtare të cilave iu referohet Ministria e Jashtme e Rusisë.
“Kjo është diçka që Rusia dëshiron ta përdorë si argument, sepse Perëndimi e ngriti çështjen e pavarësisë së Kosovës, dhe tani Rusia dëshiron që mbi këtë precedent të ndërtojë edhe pavarësinë e këtyre katër zonave, por kjo është edhe mesazh për Serbinë se edhe pikëpamja e Rusisë po ndryshon deri diku dhe duket se Serbia më nuk mund të llogarisë në mbështetjen e pakushtëzuar të Rusisë”, thotë Pavkoviq duke nënvizuar se Moska praktikisht dëshmoi se interesat e Rusisë janë në vend të parë në raport me Serbinë.
“Kështu që, bashkimi i territorit dhe referimi në precedentin e Kosovës është prova kryesore se Rusia shikon së pari interesat e veta, e pastaj interesat e partnerëve të saj. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se Rusia do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, ende jemi larg kësaj. Serbia do të mbetet parimore në qëndrimin e saj për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës, por tani për tani ka disa nivele në referimin rus ndaj Kosovës. Tash për tash nuk kemi arritur deri në atë fazë që Rusia ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Pavkoviq thotë se në thelb ky është mesazh për Serbinë se mbështetja e Rusisë aktualisht është në rënie, se pozita serbe është e vështirë sepse në një mënyrë apo tjetër po humb një partner të rëndësishëm dhe, kur është fjala për Kosovën, partneri i vetëm i Beogradit mbetet Kina.