Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviq, ka thënë se “Serbia nuk mund dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, si dhe se kjo nuk është kërkesë e Bashkimit Evropian, sepse në kapitullin 35 flitet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është në përputhje me mandatin që BE-ja ka marrë nga OKB-ja si ndërmjetës”.
Staroviq ka deklaruar për televizionin serb K1 se disa shtete të fuqishme anëtare të BE-së po kërkojnë që Serbia ta njohë Kosovën, “por se kjo nuk është kërkesë e BE-së”.
“Është e qartë se ky është qëndrimi i disa shteteve të fuqishme anëtare të BE-së, këtë e kemi dëgjuar së fundmi nga kancelari gjerman Scholz”, ka thënë Staroviq dhe ka theksuar se është e sigurt që Serbia “nuk do dhe nuk mund ta njohë shkëputjen e një pjese të territorit të saj”.
I pyetur nëse kjo do ta ndihmonte Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, Staroviq ka thënë se “BE-ja është lodhur nga zgjerimi” dhe se “edhe sikur Serbia do të pranonte këtë kërkesë për Kosovën, nesër pas lëvdatave, do të ishte përballur me vendosjen e disa kushteve të reja në rrugën drejt BE-së”.