Petkoviq: Absurde që Osmani po e sulmon Vuçiqin, Kurti është faktori i vetëm për jostabilitet në Kosovës

Lajme

Petkoviq: Absurde që Osmani po e sulmon Vuçiqin, Kurti është faktori i vetëm për jostabilitet në Kosovës

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 13:03
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “kryeministri i Kosovës Albin Kurti është i vetmi që shkakton destabilitet në Kosovë” dhe se “fakti që presidentja e Kosovës akuzon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fakt është shtrembërim i fakteve”.

“Është absurde që Vjosa Osmani po sulmon presidentin tonë Aleksandar Vuçiq, kur i vetmi faktor real i destabilitetit në Kosovë, por edhe më gjerë, është Albin Kurti, i cili kërcënon çdo ditë me luftë dhe ndërton baza ilegale në veri të Kosovës”, ka thënë Petkoviq në një komunikatë për media.

Petkoviq ka pretenduar se nëse vërtet duan normalizim të marrëdhënieve, paqe dhe stabilitet në Kosovë, atëherë “duhet ta kishin formuar shumë kohë më parë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, i cili, sipas fjalëve të tij, “garanton të drejtat kolektive të serbëve”.

“Në vend që të respektojë marrëveshjen nga dialogu, Osmani dëshiron të paraqesë si sundim të ligjit ndërtimin e bazave ilegale, me marrjen e tokave nga serbët në Zubin Potok dhe Leposaviq. Kjo ka vetëm në Kosovë, që uzurpimi të paraqitet si sundim i ligjit, ndërsa respektimi i marrëveshjes si paligjshmëri, sepse pikërisht këtë po bën Osmani, duke thënë se kurrë nuk do ta formojë Asociacionin”, pretendon Petkoviq.

Ai ka thënë se pret që për shkak të glorifikimit të tillë të shkeljes së marrëveshjes nga Kosova, bashkësia ndërkombëtare “të reagojë qartë dhe të dënojë deklaratat që nuk janë në frymën e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve”.

Petkoviq gjithashtu ka “përkujtuar” se “Kushtetuta e Serbisë është alfa dhe omega e tyre dhe korniza e vetme e veprimit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat