Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se po ushtrohet presion psikologjik ndaj serbëve në Kosovë dhe se rasti i fundit ka qenë më 6 tetor, kur ushtarët britanikë ishin në numër të madh në veri të Kosovës dhe se ushtria amerikane po e shtonë kontingjentin e ushtrisë së tyre në Kosovë pasi që do të vijnë rreth 300 ushtarë nga Amerika.
“Në nivelin e dytë janë problemet në Kosovë, provokimet e përditshme nga shqiptarët dhe shfaqja e njësive të ndryshme policore që nuk kanë lidhje me Drejtorinë dhe policinë rajonale në veri, është një presion i veçantë psikologjik dhe do të thonë se këto janë aktivitete të rregullta”, tha Vuçiq.
Vuçiq, ka thënë sot se pas bisedës së sotme me kryeministren Ana Brnabiq, nuk ka vullnet nga lidershipi serb për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Ne mund të flasim për çdo gjë tjetër, edhe pse gjithmonë do të ketë tema që ata do të shpikin vetëm që ne të merremi me atë që u përshtatet atyre, vetëm që asgjë të mos jetë kurrë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, qoftë edhe në përputhje me aktet që ne i kemi miratuar bashkërisht me mbështetjen e BE-së”, tha Vuçiq.