A po paralajmëron Drecun se Serbia është dorëzuar para BE-së?

Lajme

A po paralajmëron Drecun se Serbia është dorëzuar para BE-së?

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 09:04
Millovan Drecun

Kryetari i të ashtuquajturit komision serb për Kosovë, Millovan Drecun, duke folur për propozimin e Francës dhe Gjermanisë, ka thënë se “Serbia do të duhet të mendojë për këtë dhe se nuk mund vetëm ta anashkalojë. Ai ka shtuar se janë të lidhura çështja e Kosovës me atë se deri në çfarë mase Serbia do ta ndjek politikën e jashtme të BE-së, në radhë të parë ndaj Rusisë”.

“Duhet të shohim se sa do të mund të durojmë dëmin që na është shkaktuar sepse nuk ndjekim politikën e BE-së ndaj Rusisë. Nëse dëmi është më i madh se përfitimi, do të duhet të korrigjojmë politikën tonë nëse duam të luftojmë për interesat tona”, tha ai me qëllim të përgatitjes së publikut serb.

Drecun gjithashtu ka deklaruar për Tanjug se zyrtarët rusë “duhet të kenë pak më shumë mirëkuptim për pozicionin e Serbisë” dhe ka shtuar se në një moment Beogradi do të duhet të vendosë të përdorë një lloj sanksionesh kundër Rusisë.

“Nëse do të vijë deri te kjo, askush nuk duhet të inkurajojë jostabilitet të brendshëm në Serbi, kjo nuk duhet të jetë në interes as të Perëndimit as të vendeve mike”, ka pretenduar Drecun.

Ai ka vlerësuar se situata për Serbinë është komplekse dhe se gjithçka është e ndërthurur.

“Për Serbinë nuk është e pranueshme asgjë që e shndërron Kosovën në shtet me kapacitet të plotë juridik ndërkombëtar, përkatësisht anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, pretendon Drecun.

“Nëse Kosova bëhet anëtare e OKB-së, më nuk do të kthehet në Serbi, kjo për ne nuk është e pranueshme”, ka vazhduar ai.

“Nuk dini si të vendosni, sido që të vendosni, do të ketë dëme. Duket se Serbia nuk ka vend për manovrim”, ka pranuar më në fund Drecun, duke shtuar se “ajo ka nevojë për mbështetjen e Rusisë në OKB në lidhje me Kosovën dhe se është e varur nga Rusia për energji”.

“Ndoshta në një moment do të mund ta zbusim presionin për anëtarësimin e Kosovës në OKB nëse do të fillonim të ndiqnim politikën e BE-së ndaj Rusisë”, shpreson ai.

Ai ka shtuar se “është i befasuar që vetë Rusia nuk e njeh peshën e situatës në të cilën ndodhet Serbia, edhe pse zyrtarët e tyre thonë se po ushtrohet presion i fortë ndaj Serbisë”.

“Rusët janë të zënë me problemet e tyre, por gjithashtu po na shtyjnë edhe ne në probleme të reja”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat