Të mërkurën do të organizohet një protestë në solidaritet me gratë në Iran.
Protesta është organizuar nga organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS”, e cila do të nisë nga ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
E gjithë kjo nisi pasi shteti i Iranit është përfshirë ditët e fundit nga protestat pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi nuk kishte veshur në mënyrën e duhur shaminë e saj në përputhje me rregullat islamike.
Shumica e protestuesve ishin gra dhe ato hoqën shamitë e tyre të detyrueshme, apo hixhabet gjatë marshimit pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila u ndalua nga policia e mbikëqyrjes së sjelljes nën pretendimet për mosvënien si duhet të shamisë së saj.
Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm të grave të reja nga policia mbikëqyrëse e sjelljes.