Raporti për Kosovën për vitin 2022 është publikuar nga Komisioni Evropian, ku thuhet se në dialogun me Serbinë, Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive.
Në këtë raport thuhet se mes Kosovës e Serbisë duhet një marrëveshje përfundimtare, e që cilësohet si “urgjente dhe vendimtare për t’i mundësuar Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugët e tyre evropiane”.
Sipas raportit për Kosovën për vitin 2022, vendi duhet të përmirësojë kapacitetin e saj administrativ dhe koordinimin, në të gjithë sektorët, për të arritur zbatimin efektiv të trupit të të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta që janë të detyrueshme për të gjitha vendet që janë pjesë e BE-së dhe që aspirojnë të bëhen anëtarë të saj.
Tutje, thuhet se Kosova gjatë periudhës raportuese ka bërë disa përparime në fushate e konkurrencës dhe rritjes gjithëpërfshirëse, ku përfshihen transformimi digjital dhe mediat, politikat sociale dhe punësimi, arsimi dhe kultura, doganat, taksat, politikat ekonomike dhe ato monetare.
“Gjatë periudhës raportuese është arritur njëfarë progresi në përafrimin me standardet evropiane në fushën e statistikave dhe kontrollit financiar, ndërsa është arritur progres i kufizuar në përafrimin me standardet evropiane në fushën e prokurimit publik. Në shumicën e fushave që kanë të bëjnë me tregun e brendshëm, Kosova ka një nivel të përgatitjes, duke përfshirë edhe konkurrencën. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë disa përparime në të gjitha fushat, përveç politikës së konsumatorit dhe mbrojtjes së shëndetit, ku është bërë vetëm progres i kufizuar”, thuhet në raportin për Kosovën për vitin 2022 të publikuar nga Komisioni Evropian.
Më tej, sipas këtij raporti, Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe lidhjen e qëndrueshme, Kosova ka bërë disa përparime në fushën e transportit dhe progres të kufizuar në fushën e energjisë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
“Në fushën e resurseve dhe bujqësisë, Kosova ka bërë disa përparime në sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe politikën fitosanitare, por vetëm progres të kufizuar në bujqësi”.
“Sa i përket marrëdhënieve të jashtme dhe politikës tregtare, Kosova ka bërë progres të kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe është në një fazë të hershme të përgatitjes. Kosova ende nuk i ka ratifikuar protokollet shtesë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve. Kosova vendosi kufizime të eksportit për një numër të produkteve ushqimore bujqësore pa arsyetime apo konsultime paraprake me Komisionin”, thuhet në këtë raport.