Gazetari i regjimit serb bëhet qesharak: Vuçiq po planifikon dorëheqje për shkak të Kosovës

Lajme

Gazetari i regjimit serb bëhet qesharak: Vuçiq po planifikon dorëheqje për shkak të Kosovës

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 13:36
Dragan J. Vuçiqeviq

Kryeredaktori dhe pronari i “Informer” Dragan J. Vuçiqeviq, tabloid pro pushtetit në Serbi,  ka deklaruar se sipas informacioneve që ka nga bashkëpunëtorët e Presidentit të Serbisë dhe Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq, planifikon të japë dorëheqje për t’ia lënë “dikujt tjetër” t’i vendos sanksione  Rusisë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Këtë ai e ka lidhur me presionin e madh dhe sipas tij, Serbia këto dy lëvizje nuk do të  mund t’i përballonte.

Pronari i tabloidit pro regjimit të Vuçiq, që ka folur  në një televizion po ashtu të afërt me  regjimit në Beograd, TV PINK, ka dramatizuar duke i kërkuar shefit të shtetit serb  që të mos e bëjë këtë, sepse dorëheqja do të ishte vendim i keq për interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

Ai tutje ka thënë se Serbia është i vetmi vend në Evropë që prej 231 ditësh nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke thënë se kjo është një fitore e Serbisë.

“Nëse më lejoni t’u them shikuesve, në programin më të ndjekur në Serbi. Duhet të jenë të qetë në këto kohë lufte, sepse përderisa presidenti Vuçiq është president, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk do ta njohë shtetin e rremë të Kosovës”.

Ai tha se informacionet që i ka për shkak të “situatës së komplikuar” nuk mund t’i verifikojë drejtpërdrejt me Vuçiqin, sepse nuk mund të kontaktojë me të, por se “ato vijnë nga bashkëpunëtorët e presidentit nga qeveria”.

Gazetari i preferuar i Presidentit serb ka shtuar se Aleksandar Vuçiq, do t’ia linte njohjen e Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë kujtdo që do të vinte pas tij, pasi të jepte dorëheqjen.

“Kam dëgjuar disa gjëra nga disa bashkëpunëtorë të tij nga qeveria që më shqetësojnë. Disa prej tyre thonë se presidenti (Vuçiq) mund të marrë një vendim që, mendoj, është thelbësisht i keq për shtetin dhe për interesat shtetërore dhe kombëtare. Dhe ai vendim nuk do të ishte njohja e shtetit të rremë të Kosovës, aspak, ose, Zoti na ruajt, të vendosen sanksione ndaj Rusisë.  Kjo nuk do të ndodhë, por t’ua lëmë ato vendime të tjerëve në një mënyrë që të marrin vendime politike që jo. Disa madje më kanë se Presidenti po mendon të japë dorëheqje”, tha redaktori i Informer.

Dorëheqja do të vinte pasi shteti serb nuk do të mund ta përballojë presionin më, tha ai.

Pastaj ka bërë një lutje për “idhullin” e tij.

“Do ta shfrytëzoj këtë rast, ndoshta në mënyrë jo modeste, për ta lutur presidentin, mendoj në emër të një numri të madh të qytetarëve të Serbisë, nëse është e mundur që të mos e bëjë këtë. Jam i sigurt se askush, për fat të keq apo për fat, nuk është fakt, askush sot në Serbi dhe në këtë pjesë të Evropës nuk mund të udhëheqë një politikë më të mirë se ai. Dhe se ne duhet të qëndrojmë në këtë kurs politik siç dimë. Do të jetë tmerrësisht e vështirë dhe e tmerrshme, shumë në Serbi nuk e kuptojnë vështirësinë e situatës në të cilën ndodhemi”, tha pronari i tabloidit.

Ai vetë, tha ai, “ishte pak i befasuar, i hutuar dhe i tronditur nga ato informacione, sepse siç thotë ai, nuk i di se çfarë lloj presioni ka udhëheqja shtetërore serbe dhe vetë presidenti serb”.

Komentit të prezantueses  se Vuçiq nuk është tipi i personit që jep dorëheqje, Vuçiqeviq i është përgjigjur se “Vuçiq nuk është magjistar” që t’i zgjidhë të gjitha situatat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat