Vuçiq: Ambasadorët e Quint-it dorëzuan një dokument për Kosovën, përmendet eskalimi i situatës në veri

Lajme

Vuçiq: Ambasadorët e Quint-it dorëzuan një dokument për Kosovën, përmendet eskalimi i situatës në veri

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 14:05
Pamje nga takimi i Vuçiqit me ambasadorët e Quint-it

Zyra e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar komunikatë për media.

Aty thuhet se ai ka biseduar me ambasadorët e Quint-it dhe shefin e delegacionit të BE-së, të cilët i kanë dorëzuar një dokument të përbashkët në të cilin shprehin shqetësimin e tyre për rrënimin e mundshme të stabilitetit në rajon, në prag të afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa të Serbisë në Kosovë.

Vuçiq tha se ndan shqetësimin për tensionet e mundshme, duke shtuar se Serbia “është e përkushtuar ndaj dialogut si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, në të mirë të serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, pa rrezikuar interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrës së Vuçiqit.

“Ai theksoi se tensionet aktuale kanë lindur për shkak të lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, si dhe për faktin se Prishtina nuk i respekton dispozitat e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së. Ambasadorët e Quint-it dhe shefi i Delegacionit të BE-së falënderuan Vuçiqin për angazhimin konstruktiv të Serbisë në përmbushjen e Udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, në kuadër të dialogut me Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së Presidentit serb.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat