Unë inkurajoj fuqishëm Kosovën dhe Serbinë që të përfitojnë nga uniteti transatlantik për çështjen e dialogut dhe ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakut për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.
Pa këtë asnjëri prej tyre nuk do të mund të hyjë në BE, ka thënë për “Euronews” raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.
Von Cramon ka theksuar se për herë të parë, "megjithëse mund të ishte bërë në vitet e mëparshme në fushën e sundimit të ligjit, kemi regres të Serbisë kur bëhet fjalë për respektimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Serbia ka vetëm 45 për qind përputhshmëri me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, që është një rënie prej 20 për qind në krahasim me raportin e fundit. Trendi është i qartë dhe situata është e paqëndrueshme. Ne i kemi dërguar një mesazh të qartë presidentit Aleksandar Vuçiq – ose jeni me ne kur kemi nevojë për unitetin evropian, ose jeni kundër. Balancimi serb është i papranueshëm dhe pasojat mund të jenë ndalimi efektiv i negociatave për pranim të Serbisë. Ne vërtet duam ta shohim Serbinë në BE, por që kjo të ndodhë, Serbia duhet të bëjë një kthesë në politikën e saj të jashtme dhe të tregojë qartë solidaritetin me Ukrainën”, ka thënë Von Cramon.