Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Kjo mbledhje është thirrur për të enjten nga ora 10:00, raportoi mediumi serb “B92”.
Ky vendim i Vuçiçit është marrë pas kërkesës që iu bë nga Lista Serbe për një takim urgjent.
Lista Serbe kërkoi takim me Vuçiçin për të diskutuar lidhur me çështjen e targave.
Në njoftimin e lëshuar nga ky subjekt politik thuhet se “Albin Kurti me deklaratat e fundit ka paralajmëruar se nga 1 nëntori do të nisë me rrëmbimin e pronave të qytetarëve tanë dhe veturave me targa serbe”.
Më 31 tetor përfundon afati i riregjistrimit të veturave nga ato me targa ilegale në ato legale RKS.
Qytetarët serbë, që i kanë veturat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, mund t’i riregjistrojnë veturat në targa legale të Kosovës, RKS pa pagesë.