Është inauguruar qeveria e re e Serbisë, pasi fitoi zyrtarisht miratimin e parlamentit të mërkurën, rreth gjashtë muaj pas zgjedhjeve që riafirmuan dominimin e presidentit autokratik, Aleksandër Vuçiq, dhe populistëve të tij të krahut të djathtë.
Votimi në asamblenë prej 250 vendesh ishte 157 pro dhe 68 kundër kabinetit të ri. Pjesa tjetër e ligjvënësve mungonin, raporton AP.
Qeveria e re, e cila do të udhëhiqet nga bashkëpunëtorja e ngushtë e partisë së Vuçiqit, Ana Bërnabiq, për mandatin e saj të tretë radhazi si kryeministre, do të duhet të merret me vendimet strategjike, me të cilat përballet vendi ballkanik. Këto përfshijnë thirrjet perëndimore që Serbia t’u bashkohet sanksioneve kundër aleatit të saj, Rusisë, për luftën në Ukrainë dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën – nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Kabineti i ri ka 28 ministra, duke përfshirë disa prorusë si ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq. Ajo gjithashtu ka zyrtarë që konsiderohen pro-perëndimorë, por ata do të drejtojnë ministri më pak të rëndësishme që do të kenë pak fjalë për vendimet e ardhshme të politikës së jashtme të Serbisë.
Vuçiqi, i cili drejton partinë në pushtet SNS dhe që ka ndikim pothuajse të plotë mbi politikat e qeverisë, ka thënë se ka “besim të pakufishëm” te Bërnabiqi, 47-vjeçe, e cila u bë kryeministrja e parë femër e Serbisë – dhe haptazi homoseksuale – në vitin 2017.
Në fjalimin e saj inaugurues në Parlament, Bërnabiqi u përpoq të minimizonte pretendimet se qeveria e re është ose pro-ruse ose pro-perëndimore.
“Ne po ndërtojmë një Serbi evropiane dhe vetë anëtarësimi në (BE) sigurisht që nuk varet vetëm nga ne”, tha ajo. “Serbia gjithashtu do të vazhdojë të investojë në miqësitë e saj me vendet e tjera”, shtoi ajo, në një referencë të dukshme për Rusinë dhe Kinën.
Megjithëse pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme është me vendet anëtare të BE-së, Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus dhe ka blerë armë nga Rusia, ndërsa Kina është një investitor i madh.
Një ish-ultranacionalist anti-perëndimor, Vuçiq, ka thënë se dëshiron ta udhëheqë Serbinë në BE. Por ai ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe mban lidhje miqësore me Moskën pavarësisht luftës në Ukrainë. Përafrimi i politikave të jashtme me ato të BE-së mbetet një nga parakushtet kryesore që Serbia të bashkohet me bllokun 27-vendesh.
Analisti politik Milan St. Protiq tha se Vuçiqi dhe qeveritë që ai ka zgjedhur gjatë sundimit të tij 10-vjeçar kanë lejuar zgjerimin e ndikimit rus në vend.
“Është e qartë se Serbia ka hyrë në nofullat ruse”, tha Protiq. “Kur u hap ajo derë, ata (rusët) hynë nga të gjitha anët”.
Vuçiqi fitoi një mandat tjetër pesë-vjeçar në zgjedhjet e prillit, të cilat ishin njëkohësisht zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.
Analistët kanë thënë se Vuçiqi donte të vononte sa më gjatë formimin e një qeverie të re për të shtyrë marrjen e vendimeve të mëdha që mund të dëmtonin pozitën e tij në mesin e elektoratit të tij kryesisht pro-rus.
Rusia ka ndikim të fortë politik në Serbi, e cila konsiderohet aleati më i fortë i Moskës në Evropë. Në Perëndim ekziston frika se Moska e ka përdorur Beogradin për të destabilizuar fqinjët në Ballkan, të cilët ende janë duke u lëkundur nga luftërat shkatërruese në vitet 1990.