Serbia brenda 24 orëve do të dërgojë përgjigje për propozimin gjermano-francez për Kosovën, ka paralajmëruar sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, por me pasoja të mundshme nëse nuk ka mundësi për të negociuar për këtë propozim.
“Sot në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare kemi shqyrtuar edhe planin franko-gjerman të mbështetur nga SHBA dhe i kemi njoftuar edhe për përgjigjen që kemi hartuar. Ne do ta dërgojmë atë përgjigje brenda 24 orëve. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet dhe negociatat, por ka gjëra që nuk mund t’i pranojmë dhe për këtë kemi i kemi njoftuar edhe përfaqësuesit e vendeve më të larta – Francës, Gjermanisë dhe SHBA”, ka deklaruar sot presidenti serb.
Ai pretendon se “nuk duhet të hyjë në detaje”.
Sa i përket pasojave nëse propozimi nuk mund të negociohet, Vuçiq tha se ato i janë paraqitur dhe se sigurisht nuk janë të lehta për Serbinë.
“Pozicioni ynë është i tillë që hapësira jonë është e kufizuar me mikronë dhe ata qëllimisht na futën në një skutë me forcën e tyre e jo me forcën e argumenteve” është ankuar ai.
Në të njëjtën deklaratë Vuçiq ka lexuar dy pika të planit që i është ofruar Serbisë, pa specifikuar se për cilin plan bëhet fjalë.
“Palët janë të vetëdijshme se paprekshmëria e kufirit dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit janë kushtet bazë për paqen, të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e paraqitura në Kartën e OKB-së, veçanërisht ato që lidhen me barazinë sovrane e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë së tyre, i integritetit të tyre territorial”.
Vuçiq pyet “A po bën shaka dikush me ne apo çfarë”?
“Ata po kërkojnë që ne të shkelim OKB-në, parimet dhe kartat e OKB-së dhe rezolutën 1244 për të arritur parimin e tyre dhe në të ardhmen të respektojmë atë që ata nuk respektuan në rastin tonë. Dhe nëse nuk ndodh, atëherë do të pasojë një stupc i rëndë", ka thënë Vuçiq.