Sapo e mori funksionin Daçiq vazhdon me të vjetrën: “Mos na detyron të mbrohemi!”

Lajme

Sapo e mori funksionin Daçiq vazhdon me të vjetrën: “Mos na detyron të mbrohemi!”

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 15:27
Ivica Daçiq

Një ditë pasi u emërua ministër i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, duke e konsideruar veten tashmë si të rëndësishëm, menjëherë filloi (vazhdoi) në stilin e tij të vjetër, me kërcënime ndaj Kosovës.

Ai sot ka deklaruar se “në këtë moment është shumë e rëndësishme të ruhet stabiliteti politik dhe paqja”, ndërsa duke mos e humbë rastin të kërcënojë Kosovën duke thënë se “Dëbime masive nuk do të ketë më, mos na detyroni të mbrohemi!”

“Sa i përket Serbisë, ne konsiderojmë se është e nevojshme të marrim pjesë në dialog dhe nuk ka nevojë të provokohet dhe t’i jepet mundësi dikujt që të thotë se Serbia është faktor përçarës, mirëpo pikëpyetje është se çfarë hapash do të ndërmarrin vendet perëndimore si dhe cili është roli i NATO-s apo i KFOR-it, ka thënë Daçiq për televizionin serb “TV Pink”.

Ai ka pretenduar se “NATO dhe KFOR-i duhet të garantojnë paqen dhe se askush nuk mund të cenojë sigurinë e serbëve në veri”.

“Mesazhet tona janë se ne do të bëjmë gjithçka për paqen, por sigurisht që do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur serbët – por cilat janë pasojat? Cilat janë pasojat për Kurtin dhe Prishtinën nëse nuk pajtohen me shtyrjen e afatit për riregjistrim – Kurti e di se nuk do të ketë pasoja, për dallim nga Serbia e cila kërcënohet me ‘stupca’”, ankohet Daçiq.

Ai ka pretenduar se “nuk ka paqe pa zgjidhje të drejtë” dhe se duke e vënë nën presion Serbinë, “ata” (vendet e Perëndimit) “po e cenojnë stabilitetin në rajon sepse duan që nëpërmes të Ukrainës ta zgjidhin “çështjen e Kosovës”, ashtu që ne të bëhemi dëm kolateral”.

Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Daçiq, i cili është i njohur për qëndrime pro-ruse, ka thënë se “njerëzit shpesh harrojnë se kur flasim për Rusinë, ne mendojmë për Rusinë, por mendojmë edhe për Serbinë”.

Të përkujtojmë, Daçiq më herët ka deklaruar se Serbia ka nevojë për “përqafimin e ariut rus”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat