​101 vjet që nga themelimi i katedrës së albanologjisë në Universitetin e Beogradit

Lajme

​101 vjet që nga themelimi i katedrës së albanologjisë në Universitetin e Beogradit

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 16:08
​101 vjet që nga themelimi i katedrës së albanologjisë në Universitetin e Beogradit

Në Universitetin e Beogradit u zhvillua veprimtaria shkencore ndërkombëtare kushtuar 101-vjetorit të themelimit të katedrës së albanologjisë së këtij universiteti. Gjatë kësaj veprimtari shkencore, u përkujtuan figura të rëndësishme të studimeve albanologjike, të gjurmimeve ballkanologjike dhe në fushë të gjuhësisë së krahasuar.

Një historik përmbledhës i arritjeve në fushë të studimeve albanologjike të kësaj katedre u trajtua në hyrje të konferencës nga Naile Mala, drejtuese e kësaj njësie shkencore universitare. Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçka, theksoi rëndësinë e vijimësisë së katedrave të albanologjisë në Ballkan dhe Evropë, si dhe rolin e institucioneve shkencore shqiptare në realizimin e bashkëpunimeve me këto katedra.

Morën pjesë në këtë veprimtari të rëndësishme shkencore Aljula Jubani, me kumtesën me titull “Zhvillime të gjuhës shqipe, në kuadër të procesit të integrimit evropian”; Mimoza Priku, me kumtesën me titull “Arhiv za arbansku starinu, jezik i etnologiju, tribunë e promovimit të albanologjisë”; Evalda Paci, me kumtesën me titull “Elemente të një lashtësie komplekse në studime mbi botën i.e. dhe atë ballkanike”.

Në këto kumtesave u cekën çështje të kulturës së gjuhës shqipe në kontekst të zhvillimeve më të fundit, por dhe prurje me rëndësi në revista shkencore që shënuan arritje me vlerë në fushë të gjurmimeve mbi shqipen dhe kontekstualizimin e saj në studime të krahasuara me vështrim mbi karakterin i.e. të saj. Gjithashtu u trajtua në veçanti kontributi kompleks i.Bariċ (1888-1957), përpilues punimesh e studimesh me destinacion universitar mbi historinë e shqipes, origjinën dhe tiparet konstitutive të saj, njohës i mirë i një sërë çështjesh që lidhen drejtpërdrejt me gjenezën e saj dhe marrëdhëniet me disa gjuhë ballkanike.

Barić njihet me të drejtë si themelues revistash shkencore të rëndësishme në botën e studimeve ballkanike, në të cilat reflektohen kontribute të çmuara që cekin dhe argumentet e sipërcituara, të trajtuara gjerësisht dhe nga studiues të gjuhësisë romane, ndër të cilët përmendim dhe Carlo Tagliavinin (1903-1982). Veprimtaria shkencore u shoqërua me kumtime me interes në fusha të rëndësishme të studimeve mbi çështje të mësimit dhe studimit të gjuhës shqipe në universitete evropiane, fakt që u nënvizua më shumë në ditën e dytë të mbajtjes së saj.

Të dhëna me interes mbi botime specifike mbi gjuhën e letërsinë bashkëkohore shqipe, autorë të rëndësishëm të saj, fjalorë dygjuhësh, por dhe çështje të ndikimeve të ndërsjella kulturore u vunë në dukje në kumtesat e mbajtura gjatë kësaj dite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat