Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, por edhe kudo që ata jetojnë në Serbi të regjistrohen dhe të deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare.
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se Serbia po përshkallëzon çdo ditë politikat e saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe në të gjitha forma e metoda tenton ta ulë numrin e shqiptarëve.
“Meqë kemi hyrë në dy ditët e fundit të afatit, 30 dhe 31 tetor, u bëjë thirrje edhe një herë të gjithë shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por edhe kudo që ata jetojnë në Serbi, të regjistrohen dhe deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare.
Siç e dijmë dhe e kemi parë deri sot, Serbia po përshkallëzon çdo ditë politikat e saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve. Në të gjitha format dhe me të gjitha metodat, po provon të ulë numrin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Prandaj, përgjigja e shqiptarëve duhet të jetë unike dhe e fuqishme në këtë proces të regjistrimit të popullsisë. Ky është hapi i parë i mbrojtjes së interesave dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Shkoni dhe regjistrohuni – dëshmoni që jeni shumë. Në këtë mision, shqiptarët atje duhet ta kenë mbështetjen e plotë edhe të Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.